SPAJIQ: SHTYRJA E REGJISTRIMIT MUND TË SHKAKTOJË KOSTO TË REJA

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq theksoi se zbatimi i regjistrimit është i rëndësishëm për marrjen e vendimeve strategjike për zhvillimin e mëtejmë të Malit të Zi dhe se mbajtja e tij është në interes të shtetit, qeverisë dhe shoqërisë në tërësi.

Spajiq zhvilloi sot një raund të dytë konsultimesh me përfaqësues të partive parlamentare, organizatave joqeveritare dhe këshillave të popujve pakicë, si dhe përfaqësues të Autoritetit të Statistikave, me qëllim gjetjen e modelit më të mirë për zbatimin e regjistrimit të popullsisë të planifikuar për më 30 nëntor.

“Kemi nevojë për efikasitet, por jo në kurriz të cilësisë. Një nga rrethanat që duhet pasur parasysh është se shtyrja e regjistrimit mund të shkaktojë kosto të reja, sidomos për shkak të momentit fiskal në të cilin ndodhet Mali i Zi. Në këtë kuptim, të gjithë duhet të tregojmë përgjegjësi të larta”, theksoi kryeministri.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Malit të Zi, përfaqësuesit e Monstat kanë informuar për mundësitë e zgjerimit të komisioneve të regjistrimit dhe krijimit të softuerit të ri për kontrollin e proceseve, duke pasur parasysh mbrojtjen e të dhënave personale.

SHARE