PËRZGJEDHJA E GJYQTARËVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE SHKAKTON TENSIONE NË KUVEND

Foto: Kuvendi i Malit të Zi

Në Kuvendin e Malit të Zi është duke u mbajtur seanca e Komisionit për Çështje Kushtetuese, me qëllim përzgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Lista e kandidatëve përfshin 13 emra, ndërsa votimi do të jetë publik. Seanca është shoqëruar me tensione ndërmjet partive politike, veçanërisht rreth përfaqësimit etnik të kandidatëve dhe mënyrës së përzgjedhjes së tyre.

Deputetja e Lëvizjes Evropa Tani, Jellena Nedoviq, theksoi se zgjedhja e gjyqtarëve ka ndikim të drejtpërdrejtë në integrimet evropiane të Malit të Zi dhe kritikoi përqendrimin në përkatësinë etnike të kandidatëve, duke përmendur se një gjyqtar i mëparshëm ishte shqiptar dhe nuk u mbështet nga partia boshnjake.

Këtë deklaratë e kundërshtoi Admir Adroviq nga Partia Boshnjake, duke e quajtur të rrezikshme dhe të pavërtetë.

Edhe Mehmed Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve apeloi që të mos politizohet përkatësia etnike dhe të mos përdoret si kriter.

Përplasjet vazhduan me kritika të ashpra nga opozita. Boris Mugosha nga Socialdemokratët akuzoi shumicën qeverisëse për manipulim dhe shkelje të marrëveshjes me opozitën, duke sugjeruar se procesi po përshpejtohet për shkak të vizitës së Ursula von der Leyen më 14 tetor, dhe jo për hir të sundimit të ligjit.

Deputetja e PDS-së, Sonja Popoviq, paralajmëroi për rrezikun e një “faze të diktaturës së hapur” dhe akuzoi shumicën për përpjekje për të vendosur kontroll politik mbi Gjykatën Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Adroviq kërkoi që Lëvizja Evropa Tani si partia më e madhe të mbështesë një kandidat nga komuniteti boshnjak, ndërsa Aleksandra Vukoviq Kuç (PDS) përmendi ndikimin e shërbimeve të inteligjencës dhe lidhjen e zhvillimeve aktuale me skandale të mëparshme politike e ligjore.

SHARE