MALI I ZI BËHET ZYRTARISHT PJESË E SEPA-s

 Foto: CBCG

Ministri i Financave, Novica Vukoviq, deklaroi se mëngjesin e sotëm ka kryer një pagesë simbolike në një llogari të huaj për të testuar se si funksionojnë transaksionet SEPA, të cilat nga sot janë aktive në Mal të Zi.

Ai deklaroi për Televizionin e Malit të Zi se deri në fund të vitit do të mbyllet Kapitulli 4 – Liria e qarkullimit të kapitalit.

Ministri Vukoviq tha se Mali i Zi ka punuar për dy vite për të hyrë në SEPA, në mënyrë që qytetarët të mund të kryejnë sot transaksione pa pengesa. Për t’u bërë pjesë e sistemit SEPA, shpjegon ministri, Mali i Zi ka pasur nevojë të përmbushë të gjitha kriteret e Kapitullit 4.

Ai tha se këtë mëngjes ka bërë transaksionin e parë simbolik, duke dërguar para te një mike e tij në Austri.

“Isha shumë i padurueshëm dhe mund t’u them qytetarëve të Malit të Zi se transaksioni i parë është kryer. Kjo do t’i mundësojë ekonomisë të jetë më konkurruese, si dhe të zhvillohet një biznes më i shpejtë dhe më i lehtë, çka do të tërheqë edhe investime të drejtpërdrejta dhe të huaja, duke e bërë ambientin tonë më tërheqës. Këtë gjithashtu e mundëson edhe Kapitulli 4, për të cilin dua t’i njoftoj qytetarët e Malit të Zi se do të mbyllet deri në fund të vitit”, tha ministri.

Nga Banka Qendrore e Malit të Zi u njoftua se Mali i Zi të hënën është bërë edhe operacionalisht pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

“Fillimi i transaksioneve të para ndërkombëtare në euro brenda hapësirës evropiane të pagesave, më pak se një vit pasi Mali i Zi, si shteti i parë nga Ballkani Perëndimor, u bë anëtar i SEPA, përfaqëson një moment historik dhe një hap drejt integrimit në hapësirën financiare evropiane para anëtarësimit të plotë në BE”, thuhet në njoftim.

Që nga sot, transferi i parë ditor i individëve deri në 200 euro drejt shteteve të zonës SEPA do të jetë falas. Për transferet elektronike deri në 20 mijë euro, tarifa maksimale do të jetë 1,99 euro, ndërsa për transferet mbi 20 mijë euro do të jetë 25 euro.

SHARE