Izraeli e ka shënuar më 7 tetor njëvjetorin e sulmit shkatërrues të Hamasit ndaj shtetit hebraik, gjatë të cilët militantët i vranë mbi 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Ndërkohë, ushtria izraelite i ka vazhduar bombardimet e ashpra në Bejrut dhe inkursionin në jug të Libanit, në përpjekje për ta shkatërruar grupin militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e udhëhoqi një minutë heshtje në orën 6:29, orën kur filloi sulmi, në Kittbutz Reim, vendndodhjen e festivalit muzikor Nova, ku qindra të rinj u vranë nga luftëtarët e Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ushtria izraelite tha se gjatë ceremonisë së udhëhequr nga Herzog u shkrepën katër raketa nga Gaza drejt vendbanimeve të njëjta izraelite që ishin sulmuar në fillim të sulmit të vitit të kaluar.
Ceremonia nuk u pengua, sipas ushtrisë.
Në Jerusalem, të afërmit e rreth 100 pengjeve që ndodhen ende në robërinë e Hamasit, shumë prej të cilëve besohet se janë të vdekur, u mblodhën pranë rezidencës së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe qëndruan në heshtje në shenjë proteste ndaj asaj që të afërmit e quajnë dështim të Qeverisë për t’i liruar më të dashurit e tyre.
Pas sulmit të 7 tetorit, Izraeli nisi një luftë Gazë, ku i ka vrarë afro 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Ushtria izraelite tha më 7 tetor se gjatë vitit të fundit i ka bombarduar më shumë se 40.000 shënjestra në Gazë, ka zbuluar 4.700 tunele dhe ka shkatërruar 1.000 vende të raketahedhësve.
Konflikti në Gazë është duke u zhvilluar ende, ndërsa Izraeli tani po lufton në një front të dytë në jug të Libanit kundër Hezbollahut.
Mëngjesin e 7 tetorit, Hezbollahu, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, hodhi raketa në qytetet veriore të Izraelit, Haifa dhe Tiberias, duke shkaktuar dëme dhe disa lëndime të lehta, sipas policisë izraelite.