NATO: SITUATA NË KOSOVË ËSHTË ENDE SHUMË E PAQËNDRUESHME

Gjendja e sigurisë në Kosovë vijon të mbetet ende “shumë e paqëndrueshme”, megjithëse është qetësuar pas dhunës së madhe të muajit maj, tha të mërkurën komandanti i trupave të NATO-s në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia.

Tensionet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, u rritën në fund të majit, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill. Votimet e prillit u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe në Kosovë, duke bërë që dalja në zgjedhje të jetë vetëm 3.5 për qind.

Më shumë se 90 ushtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në veri, sipas NATO-s. Rreth 50 protestues u lënduan, po ashtu.

Majori italian Angelo Michele Ristuccia, komandanti i KFOR-it në Kosovë, tha se tensionet mes dy palëve mbeten ende të larta për shkak të dallimeve politike.

“Gjendja është e qetë, pas ngjarjeve të 20 majit. Por, në njëfarë mënyre, gjendja ende është shumë e paqëndrueshme. Ne i perceptojmë tensionet, për shkak të…shumë çështjeve të pazgjidhura”, tha ai për gazetarë në selinë e NATO-s në Bruksel të mërkurën.

Ai tha se nëse e përshkruan atë që po ndodh në Kosovë “do të thosha se sëmundja më shqetësuese është mosbesimi mes palëve”. “Kjo do të thotë se nuk ka zgjidhje ushtarake. Zgjidhja e vetme është ajo politike”, shtoi ai.

Në korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për hapat që duhet të ndërmerren për çtenisionimin e situatës, përfshirë edhe reduktimin e pranisë policore në komunat veriore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

SHARE