A Duhen Skuqur Vezët në Vaj Ulliri

Vezët përbëjnë një nga mënyrat më të shëndetshme për të nisur ditën.

Megjithatë, pavarësisht vlerave që ofrojnë për shëndetin, mirësia e tyre varet nga yndyra e përdorur për gatim.

Yndyrnat më të përdorura nga amvisat shqiptare për skuqjen e vezëve janë: vaji vegjetal dhe gjalpi.

Kohët e fundit, ndërgjegjësimi për rolin e yndyrnave në shëndetin e njeriut ka rritur përdorimin e vajit të ullirit në gatime të ndryshme, përfshirë skuqjen e vezëve.

Ekspertët thonë se përdorimi i vajit të ullirit në skuqjen e vezës siguron ruajtjen e disa prej antioksidantëve më të nevojshëm.

Për më tepër, vaji i ullirit garanton që e bardha e vezës të jetë kërce ndërkohë që e verdha të jetë e butë dhe e lagësht.

Vaji i Ullirit Për Skuqjen e Vezës

Studime të mëparshme të cilave u referohet AgroWeb.org, kanë sugjeruar se përdorimi i vajit vegjetal për skuqje është i dëmshëm për shëndetin.

Kjo ndodh sepse gjatë skuqjes ai çliron lëndë toksike.

Ndonëse vaji i ullirit klasifikohet si vaj bimor, pra vegjetal, studimet kanë konfirmuar se ngrohja e kësaj yndyrne mono-të-pangopur krijon më pak substanca toksike.

Duke qenë se piku i djegies së vajit të ullirit është i ulët, ai ngrohet shumë shpejt dhe prodhon një vezë të skuqur në mënyrë perfekte.

Disa njerëz nuk e preferojnë vezën e skuqur me vaj ullirin sepse aroma e tij përthithet nga veza.

Por vaji i ullirit kur skuqet nuk ka aromë të tepërt shqetësuese.

Si Të Skuqni Vezën Në Vaj Ulliri 

Vendoseni tiganin në zjarr dhe hidhni një ose dy lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër.

Ngroheni në temperaturë mesatare për një minutë.

Kujdes të mos nxehet tepër.

Thyejini vezët, hidhini me kujdes në tigan dhe lërini të skuqen.

Spërkatini me pak kripë dhe hidhuni sipër pak vaj nga fundi i tiganit me ndihmën e një luge të vogël.

Kjo duhet bërë deri sa e bardha e vezës të fryhet, të bëhet krokante në cepa ndërsa e verdha të jetë e lëngshme.

I gjithë ky proçes zgjat 2 minuta.

Vezët e skuqura mund t’i kombinoni me djathtë, perime por edhe qumësht apo mund t’i hidhni sipër kos./AgroWeb.org

SHARE