CIMBALEVIQ: KA VAZHDIMËSI NË FURNIZIMIN ME QUMËSHT NË MAL TË ZI

Vazhdimësia në furnizimin me qumësht në Mal të Zi ekziston, ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Bujqësi në Ministrinë përkatëse, Mirosllav Cimbajeviq, dhe ka shtuar se nuk ka vend për panik. Ai tha se janë shqetësuar nga informacionet për ndalimin e eksportit të qumështit të papërpunuar nga Serbia në Mal të Zi. “Dua të them se nuk ka vend për panik dhe frikë sepse në vitin e kaluar në sistemin premium në Mal të Zi kemi pasur blerje nga subjektet që përpunojnë qumësht prej 26.5 milionë litra, ndërsa importi nga Serbia ka qenë rreth 1 milionë litra, që është një përqindje e papërfillshme”, ka thënë Cimbaleviq në një deklaratë për gazetarët, transmeton Dan. Siç ka theksuar ai, kur bëhet fjalë për këtë vit, nga Serbia janë importuar rreth dy milionë litra qumësht të papërpunuar, gjegjësisht qumësht për përpunim të mëtutjeshëm. Ministria e njohu sektorin e qumështit si një degë të rëndësishme dhe ndau burime të konsiderueshme, më të mëdhatë në rajon. “Nuk ka vend për panik në këtë moment”, tha Cimbaleviq. Qeveria e Serbisë të mërkurën ka ndaluar eksportin e qumështit për të siguruar furnizim të rregullt të popullatës dhe për të parandaluar daljen e lëndëve të para nga vendi. Vendimi është i vlefshëm deri në fund të shtatorit.

SHARE