TATIMPAGUESIT NËN KONTROLL, 556 GJOBA DHE 20 BIZNESE TË MBYLLURA

Foto: Administrata Tatimore e Malit të Zi

Që nga fillimi i muajit maj, në Mal të Zi janë intensifikuar kontrollet e inspektorëve tatimorë për të verifikuar rregullshmërinë e punës së tatimpaguesve në gjithë territorin e vendit.

Deri më 3 gusht janë kryer gjithsej 2.160 kontrolle, gjatë të cilave janë konstatuar 423 parregullsi.

Si rezultat, janë lëshuar 556 urdhër-gjoba, me një shumë totale prej 1.7 milionë euro.

Shkeljet më të shpeshta përfshijnë:

  • mospasqyrim të qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve,
  • mosderdhje të arkës përtej maksimumit të lejuar,
  • mosregjistrim të të punësuarve,
  • ushtrim veprimtarie pa regjistrim tatimor të përgjithshëm.

Nga totali i gjobave të shqiptuara, 886 mijë euro janë faturuar, prej të cilave 561 mijë euro (63%) janë paguar nga ata që kanë pranuar përgjegjësinë brenda afatit prej tetë ditësh, duke përfituar zbritje sipas ligjit.  

Veprimtaria është ndaluar përkohësisht për 20 tatimpagues që kanë rezultuar me shkelje të rënda.

Një fokus i veçantë vazhdon të jetë sektori i akomodimit. Vetëm javën e fundit janë kontrolluar 28 ofrues të akomodimit, ku janë gjetur 11 parregullsi dhe janë shqiptuar gjoba prej 30.300 euro.

Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve që të punojnë në mënyrë të ligjshme dhe transparente për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi të ndershëm ekonomik dhe për të luftuar ekonominë joformale. Po ashtu, qytetarët ftohen të raportojnë parregullsitë përmes linjës telefonike 19707 ose platformës „Ji i përgjegjshëm“.

SHARE