MALI I ZI: MBI 114 MIJË PERSONA TË PAPËRFSHIRË NË REGJISTRIMIN E POPULLSISË

Foto: Shutterstock

Mbi 114.000 persona nuk janë përfshirë në regjistrimin e fundit të popullsisë në Mal të Zi, që përbën më shumë se 18% të banorëve.

Këto të dhëna vijnë nga një analizë e Shoqatës së Statistikëve dhe Demografëve, e cila ka krahasuar rezultatet e regjistrimit me të dhënat e Ministrisë së Brendshme.

Sipas Shoqatës së Statistikëve dhe Demografëve, regjistrimi i vitit 2023 ka përfshirë 623.633 banorë, ndërsa në evidencat e Ministrisë së Brendshme, në atë kohë, 781.772 persona kishin leje qëndrimi apo vendbanim në Mal të Zi.

Ndër të papërfshirët, janë rreth 62.000 shtetas malazezë dhe gati 52.000 të huaj.

Shoqata thotë se është i papërfshirë çdo i dhjeti shtetas malazez me vendbanim dhe çdo i dyti i huaj me qëndrim të rregullt në vend.

Shkalla e papërfshirjes përbën një devijim të madh statistikor, që sipas demografëve mund të ndikojë rëndë në hartimin e politikave publike dhe ekonomike.

Nga ana tjetër, Instituti i Statistikave (Monstat) i Malit të Zi, që ka organizuar regjistrimin, hedh poshtë kritikat dhe thotë se regjistri administrativ nuk është i njëjtë me regjistrimin, dhe dallimet janë normale.

Sipas Monstat, fakti që një person është i regjistruar në Ministri nuk do të thotë që është fizikisht prezent ose që ka vendbanim të zakonshëm në Mal të Zi.

Eurostat, edhe pse nuk ka dhënë një përgjigje direkte për këtë rast, konfirmon se dallimet mes regjistrave dhe regjistrimeve janë të mundshme dhe se vendet e BE-së përdorin metoda të kombinuara për të përpunuar të dhënat, përfshirë “pastrimin” e regjistrave.

Nga Ministria për mirëqenie sociale dhe demografi në Mal të Zi është deklaruar se ata përdorin të dhënat e Monstat dhe se këto mospërputhje vetëm sa nxisin nevojën për analiza më të thella mbi migracionin dhe dinamikën e popullsisë.

Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë (korrik 2025), në Mal të Zi janë të regjistruar mbi 97.000 të huaj me leje qëndrimi, ku më të shumtë janë shtetasit e Serbisë (24.000), Rusisë (21.000) dhe Turqisë (13.000).

SHARE