SERBËT LOKALË PROTESTOJNË NË KUNDËRSHTIM TË HAPJES SË URËS SË IBRIT

Qytetarë serbë të Kosovës kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut duke bërë thirrje që ura kryesore mbi Lumin Ibër të mos hapet për qarkullimin e automjeteve.

Rreth 600 qytetarë, sipas Policisë së Kosovës, dolën në sheshin pranë Urës së Ibrit me pankarta dhe mesazhe që kundërshtojnë hapjen e urës për automjete.

Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe të ndryshme, disa prej të cilave shkruanin “Në urë mbrojtëm mbijetesën, tani e mbrojmë zhdukjen”, “Në rast se Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës për gjithçka”, “Kërkojmë nga KFOR-i të na mbrojë”, “Derisa BE-ja dhe SHBA-ja shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë”.

Nikola Kabashiq, ish-kryetari i Gjykatës së Mitrovicës, në emër të bashkëqytetarëve të tij tha se janë kundër hapjes së paralajmëruar të urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve, sepse nuk ndihen të sigurt.

“Nuk pajtohemi me atë që pretendojnë politikanët nga Prishtina, ekskluzivisht nga një parti dhe çfarë pretendojnë politikanët dhe kryetarët e komunave nga jugu. Nuk është në interesin tonë, nuk ndihemi të sigurt. Si është e mundur të hapet një urë dhe të flitet për ndërveprim dhe pajtim të ndërsjellë të qytetarëve, e askush nuk na pajton. Ne jetojmë këtu së bashku, ata vijnë në veri, kalojnë çiklistët, kalojnë qytetarët, policia, ata vijnë në farmacitë dhe dyqanet tona dhe njerëzit tanë shkojnë në jug. Liria e lëvizjes ekziston”, tha Kabashiq.

Qeveria e Kosovës po kërkon ta hap urën kryesorë mbi lumin Ibër, megjithëse vendet e QUINT-it më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafikun në këtë moment.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 18 korrik deklaroi se hapja për qarkullimin edhe për veturave në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është kundër askujt dhe një gjë e tillë do t’i ndihmonte qytetarëve pa dallim etnie, por edhe ekonomisë dhe tregtisë.

Kurti tha se hapja e urës në mënyrë të plotë është quajtur simbol i normalizimit në të kaluarën nga Brukseli.

SHARE