PRESIDENTI MILLATOVIQ KA VIZITUAR SHËRBIMIN E MBROJTJES DHE SHPËTIMIT TË KRYEQYTETIT

Me rastin e zjarreve të shumta aktive të javëve të kaluara dhe sfidave me të cilat ballafaqohen zjarrfikësit në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronave të tyre, Presidenti i Shtetit, Jakov Millatoviq, ka vizituar Shërbimin e Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit.

“Jam këtu për të thënë një FALEMINDERIT në emër të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi për punën, përpjekjen dhe përkushtimin e tyre në mbrojtjen e jetëve dhe pronës njerëzore. Gjithashtu, në një bisedë të mirë, pata mundësinë të njihem me nevojat e shërbimit zjarrfikës. Në periudhën e ardhshme mendoj se duhet të ndajmë më shumë burime për të modernizuar këtë shërbim. Më kanë paraqitur sfida të shumta me të cilat ballafaqohen çdo ditë dhe mendoj se si shoqëri duhet të dëgjojmë të gjitha nevojat që kanë shërbimet tona zjarrfikëse”, tha presidenti Millatoviq.

Ai vlerësoi se për të forcuar sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit, Kryeqyteti duhet të ndajë më shumë mjete për sigurimin e pajisjeve adekuate dhe përmirësimin e gjendjes materiale të zjarrfikësve, duke forcuar fuqinë punëtore që aktualisht mungon.

Në takimin me menaxhmentin dhe punonjësit e Shërbimit Mbrojtës mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Podgoricës, Luka Rakçeviq.

“Dua të falënderoj Presidentin e Malit të Zi për iniciativën për të vizituar shërbimin dhe për të mbështetur të gjithë pjesëtarët e tij, në krye me komandantin, në këto ditë vërtet të vështira. Disi të gjithë e kujtojmë shërbimin gjatë sezonit të zjarreve, kur problemet me të cilat përballen janë më të mëdhatë, por është detyra jonë t’i kushtojmë vëmendje më të madhe pozicionit të tyre edhe pas sezonit të zjarreve. Faleminderit Presidentit që shprehu gatishmërinë e tij maksimale për të na ndihmuar në periudhën e ardhshme në sigurimin e fondeve dhe kontakteve të caktuara për të marrë pajisje sa më cilësore. Besoj se së bashku do të kontribuojmë dukshëm në kushtet e punës së këtij shërbimi”, tha Rakçeviq.

Ushtruesi i detyrës së komandantit Zdravko Bleçiq e njoftoi Presidentin e Shtetit për gjendjen e Shërbimit, duke vlerësuar se sfidat janë të shumta, nga burimet njerëzore e deri te ato materiale, duke evidentuar blerjen e pajisjeve të reja dhe zgjidhjen e çështjes së banimit të punonjësve si më kryesoret.

“Dëshiroj të falënderoj Presidentin Jakov Millatoviq, që është hera e parë në histori që Presidenti i Malit të Zi viziton shërbimin vendor të mbrojtjes në Podgoricë, kështu që ky është një nder dhe kënaqësi e madhe, por edhe obligim dhe motiv shtesë për të gjithë pjesëtarët e shërbimit tonë që në periudhën e ardhshme të vazhdojnë të japin maksimumin që qytetarët tanë të jenë të sigurt. Ne do të bëjmë përpjekje shtesë dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që qytetarët tanë të jenë të mbrojtur dhe të sigurt dhe të punojmë në maksimum, në mënyrë që i gjithë sistemi i mbrojtjes dhe shpëtimit të funksionojë në mënyrën e duhur”, tha Bleçiq.

SHARE