ZENKA: SPAJIQ ËSHTË I PRANUESHËM SI MANDATAR, DUHET NJË QEVERI E QËNDRUSHME

Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmed Zenka, ka deklaruar se për ta është e pranueshme që mandatari t’i takojë Lëvizjes “Evropa Tani” dhe tha se Malit të Zi i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe vendimtare, me kuadër të gatshëm për të përballuar problemet.

Një qeveri e qëndrueshme, theksoi Zenka, do të ishte më konstruktivja dhe frytdhënësja për Malin e Zi.  

“Një qeveri e tillë mund të përbëhet nga dy koalicionet më të forta – koalicioni “Së bashku” dhe koalicioni LET, si dhe partitë e pakicave. Publiku tashmë e di, indirekt ose drejtpërdrejt, se kush do të jetë mandatari dhe ne nuk shohim asnjë problem. E vetmja gjë që është në interesin tonë është formimi i një qeverie që do t’i dëgjojë kërkesat e pakicave dhe këtë i sugjerova presidentit të vendit”, tha Zenka pas takimit me presidentin Jakov Millatoviq.

Ai shtoi se shpreson se do të formohet një qeveri më afatgjatë dhe më e qëndrueshme për tejkalimin e krizës, të cilën, siç tha ai, realisht e presin pas vitit të ri.

I pyetur nëse e sheh veten në qeveri me koalicionin “Për të Ardhmen e Malit të Zi”,

Zenka tha: “Gjatë kohës së qeverisë të kryesuar nga Zdravko Krivokapiq, kam thënë se nuk ka asgjë të përbashkët me grupet që mohojnë të gjitha vlerat e mia. Mendoj se edhe partitë e tjera të pakicës kanë pikëpamje të ngjashme me mua”.

SHARE