SHQIPËRI, SHPALLET REZULTATI PËRFUNDIMTAR I ZGJEDHJEVE VENDORE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, ku fituese rezulton partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë.

Në mbledhjen e sotme, Komisioni Rregullator pranë KQZ-së miratoi rezultatin për kandidatët për kryetar bashkie, të cilët janë zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në zonat zgjedhore përkatëse dhe numrin e votave të fituara nga secili subjekt në shkallë kombëtare.

Sipas vendimit, Partia Socialiste ka fituar 53 bashki, koalicioni i partive opozitare “Bashkë Fitojmë” ka fituar në 7 bashki dhe një bashki Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen.

Në rang vendi, Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 43,11 për qind të votave për anëtarët e këshillave bashkiakë, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka siguruar 18,44 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Shqipërisë 7,71 për qind të votave.

Zgjedhjet vendore në Shqipëri u zhvilluan më 14 maj për të zgjedhur 61 kryetarë të bashkive dhe 1.603 anëtarë të këshillave bashkiake në të gjithë vendin.

SHARE