VALA E TË NXEHTIT E PARË NGA HAPËSIRA/EVROPA NË FLAKË, MILANO, PARISI DHE PRAGA ‘TË KUQE’

Edhe nga hapësira mund të shihet i nxehti ekstrem që ka mbërthyer evropën. Agjencia hapësinore evropiane, në bashkëpunim me NASA-n, ka mundur të ‘fotografojë’ temperaturat në qytetet e mëdha evropiane dhe rezultati është i dukshëm: Milano në itali, është e ngjyrosur me të kuqe cka sinjalizon temperatura prej mbi 40 gradësh celcius. Situatë pak a shumë e ngjashme edhe në paris dhe Pragë. Agjencia evropiane e hapësirës shpjegon se vala e të nxehtit rëndon më shumë mbi qytetet e mëdha, ku janë krijuar ishuj urbanë përvëlimi që e bëjnë jetën e përditshme akoma më të vështirë. Dhe ekspertët druajnë se kjo valë të nxehti ekstrem, e regjistruar që në fillim të verës, është vetëm një shijim i asaj që shumë shpejt mund të kthehet në një normalitet. Imazhet nga hapësira tregojnë situatën e të nxehtit në qershor ndërkohë që vapa e fillim korrikut u thellua akoma më tej. Sidoqoftë, ekspertët kanë bërë të ditur tashmë se ditët në vijim do të sjellin një përmbysje të kushteve të motit me të nxehtin e madh dhe anormal që do t’ia lërë vendin erës dhe motit të keq, pa përjashtuar edhe stuhi të fuqishme. I nxehti afrikan është kështu në castet e fundit dhe do t’ia lërë vendin një fronti të ftohtë që nga pasditja e të enjtes e deri në fundjavë kur moti do të kthehet sërish i qëndrueshëm dhe me diell, por jo menjëherë përvëlues.

SHARE