ABAZOVIQ: ME RËNIE TË QEVERISË SHKATËRROHEN EDHE ËNDRRAT EVROPIANE TË MALIT TË ZI

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq tha se në mbledhjen e sotme në Qeverinë e Malit të Zi është bërë e ditur se qëndrimi është që Qeveria e 43-të duhet të ruhet dhe se nuk është e mençur në këtë situatë të shkohet në zgjedhje. Ai ka bërë të ditur se Marrëveshja Themelore me KOS nuk duhet të jetë një temë që duhet të tërheqë tej mase vëmendjen e qeverisë. Abazoviq sot ka biseduar me presidentin e shtetit Millo Gjukanoviq dhe zëvendëskryeministrin Rashko Konjeviq. “Qeveria e Malit të Zi mund të rrëzohet, por pastaj ëndrrat evropiane shkatërrohen. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Prokurorë të Lartë të Shtetit të Malit të Zi, dhe Mali i Zi humbet shansin që u shfaq pas krizës në Ukrainë. Do të ketë zgjedhje, deri kur do të formohet qeveria e re, a do të nevojitet edhe atëherë shumica, ne po e humbim perspektivën evropiane”, tha Abazoviq. Kushdo që dëshiron të rrëzojë qeverinë, siç tha ai, dëshiron ta distancojë Malin e Zi nga Bashkimi Evropian (BE), prandaj qytetarët duhet të zbulojnë individë dhe subjekte politike që kanë interes për këtë. Ai tha se është për të ardhur keq që Mali i Zi po merret me çështjet e kishës, duke thënë se është i sigurt se “asnjë njeri normal nuk dëshiron destabilizimin e Malit të Zi”. Të gjitha qëndrimet në takim ishin, siç theksoi ai, se qeveria duhet të ruhet dhe se është katastrofike në një situatë të tillë të shkohet në proces zgjedhor.

Në mbledhjen e Qeverisë morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Bujqësisë Vlladimir Jokoviq, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Fatmir Gjeka, ministri pa portofol Adrijan Vuksanoviq, kryetari i Partisë Liberale Andrija Popoviq, dhe përfaqësues të partive shqiptare Nik Gjeloshaj, Mehmet Zenka dhe Genc Nimanbegu.

SHARE