SHQIPËRI, MBAHET KONFERENCA E SHEFAVE TË SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË BALLKANIT

Në Shqipëri është mbajtur Konferenca e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Ballkanit (BCHOD’s), ndërkohë Türkiye u përfaqësua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Metin Gürak, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Shtabi i Përgjishhëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë thuhet se këtë takim të mbajtur në qytetin e Durrësit e përshëndetën edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, si dhe zyrtarë të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i Begaj e cilësoi konferencën si një instrument mjaft të rëndësishëm për bashkëpunimin mes vendeve dhe stabilitetin në rajon dhe sipas njoftimit ai tha se sfidat e sigurisë janë në rritje çdo ditë.

“Rinia është garancia e së ardhmes. Edukimi i tyre me kulturën e dialogut, respektit reciprok, të pranimit të diversitetit dhe të fqinjësi së mirë krijon kushtet për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Rinia është e ardhmja e Forcave tona të Armatosura dhe burimi i inovacionit që mund të ndryshojë mënyrën se si ne mendojmë dhe veprojmë në fushën e mbrojtjes, përfshirja e saj aktive në siguri dhe mbrojtje është e rëndësishme për të nxitur një ndryshim pozitiv dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e strategjive afatgjata”, ka theksuar Begaj.

Ministri Peleshi ka theksuar se ky vit e gjen Shqipërinë në ballë të një morie angazhimesh rajonale.

“Roli i Shqipërisë në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe kontributi jonë i vazhdueshëm në garantimin dhe ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, qëndrojnë të palëkundura. Ne jemi paqedashës dhe të qartë në orientimin tonë drejt familjes perëndimore, ashtu siç jemi forcë shumëfishuese për vlerat dhe dinjitetin njerëzor, në një botë të udhëhequr nga rregullat”, u shpreh Peleshi.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Arben Kingji, duke iu drejtuar homologëve të tij tha se: “Të gjitha këto sfida ndaj sigurisë nuk mund të menaxhohen pa një qasje të përbashkët rajonale. Në këtë kuadër forumi ynë qëndron si një mjet i rëndësishëm dhe i përshtatshëm për të përparuar në ndërtimin e respektit dhe besimit reciprok si dhe arritjen e një kuptimi të përbashkët mes nesh”.

Në këtë nismë rajonale bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Bullgaria, Türkiye, Greqia, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia. Kroacia dhe Sllovenia marrin pjesë në cilësinë e vendit vëzhgues të iniciativës.

Sipas njoftimit, qëllimi i iniciativës së Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Vendeve të Ballkanit është promovimi dhe forcimi i paqes dhe sigurisë rajonale nëpërmjet bashkëpunimit ushtarak të vendeve anëtare.

SHARE