Kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari dhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit Ardian Mavriq sot kanë biseduar me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi Fatmir Gjeka dhe sekretarin shtetëror në atë departament Astrit Hoxha. Bajraktari dhe Mavriq falenderuan Gjeken dhe Hoxha për vizitë dhe njëkohësisht treguan për prioritetet e qeverisjes së re vendore në periudhën e ardhshme, në radhë të parë në ecurinë më të mirë të mundshme të sezonit turistik. Ministri Gjeka u shpreh i kënaqur që është zyrtari i parë në Qeverinë e Malit të Zi, por njëkohësisht edhe qytetar i Ulqinit që është pritur zyrtarisht në zyrën e kryetarit Bajraktari. Ai i ka uruar punë të suksesshme kryesisë së re të Komunës së Ulqinit. Gjeka theksoi se ndihma e Qeverisë sigurisht që nuk do të mungojë dhe se Ulqini me njerëz të rinj në krye ka shanse të mëdha për një ringjallje të përgjithshme.