Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Unioni i Komunave të Malit të Zi, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, do të kërkojë nga Kuvendi që, në afat sa më të shkurtër, të paraqesë kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e procesit të shqyrtimit të kushtetutshmërisë së nenit të Ligjit për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme.
Bëhet fjalë për nenin 3, paragrafi 2, pika 2 e Ligjit për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme, në pjesën që thuhet: „objektet në ndërtim“ dhe në pjesën që thuhet: „dhe objektet e tjera“.
„Konkretisht, Gjykata Kushtetuese, me vendimin e datës 25 dhjetor të vitit të kaluar, ka nisur procesin e shqyrtimit të kushtetutshmërisë së këtij neni, pas iniciativës së dy avokateve nga Podgorica dhe Tivari“, thuhet në njoftim.
Nga Unioni i Komunave është njoftuar se, nëse këto dispozita shpallen të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, komunat do të detyroheshin të pezullonin procedurat e filluara për mbledhjen e tatimeve mbi pasuritë e paluajtshme për objektet në ndërtim dhe objektet e tjera, të cilat janë miratuar në bazë të këtyre dispozitave, dhe nuk do të mund të nisin procedura të reja.
„Komunat janë të dakorduara se një vendim i tillë do të shkaktonte probleme të mëdha në funksionimin e tyre, madje deri në rrezikimin e vetëqëndrueshmërisë së tyre. Sipas të dhënave paraprake, vetëm një komunë do të pësonte menjëherë humbje në buxhet prej pothuajse 850 mijë euro“, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, Unioni i Komunave propozon që, pas ndalimit të procesit të shqyrtimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese, deputetët të miratojnë në procedurë të përshpejtuar dhe brenda afatit që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, Propozimin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme, me qëllim që të korrigjohen pasiguri kushtetuese dhe të zgjidhet problemi në mënyrën e vetme ligjore të mundshme, pa shkaktuar dëm për komunat.