Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, ka deklaruar se aktiviteti i tyre politik është i fokusuar që Mali i Zi të bëhet anëtari i radhës në Bashkimin Evropian dhe se nuk ka vend për gabime.
Në një bisedë me përfaqësuesen speciale të kryesueses së OSBE-së, ambasadoren Terhi Hakala, ai theksoi se për këtë arsye është i rëndësishëm qëndrimi i organizatës që ajo përfaqëson dhe i shtetit nga i cili vjen, duke shprehur bindjen se në të Mali i Zi do të kenë një mik.
Kryetari Mandiq rikujtoi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që është në zhvillim vitet e fundit dhe theksoi se kjo është një nga betejat më të rëndësishme që po zhvillon Mali i Zi.
„Nga njëra anë po forcojmë sistemin shtetëror, ndërsa nga ana tjetër po punojmë në forcimin e sistemit zgjedhor dhe po përpiqemi ta bëjmë më të mirë. Duhet të eliminojmë të gjitha mangësitë, në mënyrë që të mos ndodhemi më në situata si ajo në Shavnik, ku një përbërje e kuvendit ka mandat prej shtatë vitesh. Një ndihmë kyçe do të ishte organizimi i zgjedhjeve lokale në një ditë. Do të doja të rikujtoja se në Kuvend është formuar edhe Komisioni për Legjislacionin Zgjedhor“, ka thënë Mandiq, sipas njoftimit nga Kuvendi.
Mali i Zi ka mbështetje të fuqishme nga OSBE-ja, por edhe nga Finlanda, në përpjekjet e saj për t’u bërë së shpejti anëtare e Bashkimit Evropian, tha ambasadorja Hakala.
„Parlamenti luan një rol të madh në procesin e integrimeve evropiane, shteti juaj zë një vend të rëndësishëm në organizatën e OSBE-së. Ne jemi pjesë e së njëjtës familje, prandaj keni mbështetjen tonë në rrugën tuaj drejt Evropës. Shohim që keni punuar shumë për përfshirjen e të gjitha komuniteteve në Mal të Zi dhe në këtë kontekst ju uroj të vazhdoni bashkëpunimin e mirë me OSBE-në dhe ODIHR-in“, tha Hakala.