KARDINALËT KATOLIKË MBLIDHEN NË VATIKAN PËR TA ZGJEDHUR PAPËN E RI

Foto: Reuters

Procesi i Kishës Katolike për të zgjedhur një Papë të ri ka filluar në Vatikan pas vdekjes së Papa Françeskut, derisa kardinalët u mblodhën për meshën tradicionale para konklavës.

Asnjë papë nuk është zgjedhur në ditën e parë të këshillit, e njohur si konklava e fshehtë, prej shekujsh, prandaj votimi mund të vazhdojë për disa ditë para se ndonjëri nga princat me kapele të kuqe të kishës t’i marrë shumicën e nevojshme prej dy të tretat e votave për t’u bërë papa i 267-të.

Të mërkurën do të ketë vetëm një votim. Në ditët në vijim, kardinalët mund të votojnë deri në katër herë brenda ditës.

Në fund, ata i djegin fletët e votimit dhe, nëse nga oxhaku mbi çatinë e kapelës del tym i zi, nënkuptohet se papa i ri nuk është zgjedhur ende. Tymi i bardhë dhe kambanat që bien tregojnë se kisha me 1.4 miliardë anëtarë ka një udhëheqës të ri.

Në meshën e mëngjesit të së mërkurës në Bazilikën e Shën Pjetrit, përpara hyrjes në konklavë, kardinalët u lutën që Zoti t’i ndihmojë ta gjejnë një papë që do të ushtrojë një “kujdes vigjilent” mbi botën.

Në predikimin e tij, kardinali italian Giovanni Battista Re u tha kolegëve të tij se duhet ta lënë mënjanë “çdo vlerësim personal” gjatë zgjedhjes së papës së ri dhe të kenë parasysh “vetëm të mirën e kishës dhe të njerëzimit”.

Re, dekan i Kolegjit të Kardinalëve, është 91 vjeç dhe nuk do të marrë pjesë në konklavë, sepse pjesë e saj mund të jenë vetëm kardinalët nën moshën 80-vjeçare.

Kardinalët, gjatë ditëve të fundit, kanë dhënë vlerësime të ndryshme për atë që kërkojnë tek papa i ardhshëm.

Derisa disa kanë bërë thirrje për vazhdimësi me vizionin e Françeskut për më shumë reforma dhe të qenit të hapur, të tjerë kanë kërkuar rikthim tek traditat e vjetra. Shumë kanë shprehur dëshirën për një papat më të parashikueshëm dhe të matur.

SHARE