SPANJË: PROTESTA NË ISHUJT KANARIE KUNDËR TURIZMIT MASIV

Turizmi nuk ka sjellë vetëm përfitime për shumë banorë vendas të ishujve Kanarie të Spanjës.

Ata ankohen se mundësitë për banesa me qira të përballueshme po kufizohen për shkak të tjetërsimit të objekteve në favor të turizmit, ndërsa pagat mesatare mbeten të ulëta.

Edhe pse turizmi ka krijuar vende pune, ata thonë se ato nuk kanë vlerë nëse nuk paguajnë aq sa duhet për të marrë me qira një apartament. Rreth 60 mijë vetë dolën në rrigë së fundi atje për të protestuar kundër kësaj situate.

Sektorë të mëdhenj të shoqërisë janë të pakënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat, tha Jose Miguel Martin, i cili drejton fondacionin Fundacion Canaria Tamaimos, që bashkëorganizoi protestën.

Zhvillimet kanë qenë veçanërisht dramatike që nga fundi i pandemisë.

Gjatë 2023-shit, më shumë se 16 milionë turistë mbërritën në Ishujt Kanarie, numri më i madh që ka vizituar ndonjëherë rajonin. Dhe deri më tani, të dhënat e vitit 2024 sugjerojnë se ky vit mund ta thyejë atë rekord përsëri. Por vetë banorët, pak përfitojnë nga bumi turistik.

“Na ka ardhur në majë të hundës me qytetarë të dorës së dytë e te tretë. Na ka ardhur në majë të hundës me turmat e mëdha, me keqtrajtimin insitucional, me pagat e voglat dhe me faktin që trashëgimia jonë po shkatërrohet”, tha Nieves Rodrigues Rivera, mësues dhe shkrimtar.

“Është skandaloze, kudo nëpër ishuj dëgjon të flitet vetëm anglisht, kemi tre herë më shumë turistë se çdo vend tjetër i botës por për ne, banorët e ishujve Kanarie nuk ka asgjë. Vazhdojmë të jemi një komunitet autonom i varfër dhe nuk ka asnjë përgjegjësi për njerëzit që duhet t’i kenë pasuritë e fituara nga ky sektor”, tha Paula Suarez Gonzalez, studente.

Vitin e kaluar, pushuesit shpenzuan më shumë se 20 miliardë euro në Ishujt Kanare. Turizmi përbën pothuajse 40% të prodhimit të përgjithshëm ekonomik në rajon.

SHARE