RAMA: MOMENT HISTORIK, INJEKTON VRULL TË RI NË PROCESIN E ZGJERIMIT

Këshilli Evropian i ka dhënë miratimin përfundimtar ditën e sotme planit për rritjen ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Lidhur me këtë lajm, kryeministri Rama ka reaguar në rrjetin social “X”, ku shkruan se ky shënon një moment historik mjaft të rëndësishëm.

Më tej, Rama thotë se Shqipëria ka prezantuar axhëndën e reformave që do të zbatohen gjatë 3 viteve të ardhshme, për të cilën shprehet se synon të afrojë vendim me të ardhmen e parashikuar si pjesë përbërëse të familjes evropiane.

“E përshëndes miratimin sot nga Këshilli Evropian të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky është një moment historik i rëndësishëm që i paraprin fillimit të zbatimit të tij, për të cilin ne jemi plotësisht të përgatitur dhe entuziastë. Plani i Rritjes injekton një vrull të ri në procesin e zgjerimit, me një theks të veçantë në fusha vendimtare si sundimi i ligjit, transparenca dhe reformat. Për më tepër, ai prezanton burime të reja financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, në varësi të performancës së tyre. Fantastike të shohësh në realitet ato për të cilat je përpjekur të ndodhin prej shumë kohësh. Faleminderit të gjithëve atyre që janë përfshirë. Shqipëria ka paraqitur një Reform-Agjendë jashtëzakonisht ambicioze që do të ekzekutohet gjatë tre viteve të ardhshme. Kjo axhendë synon ta afrojë vendin drejt së ardhmes si pjesë përbërëse e familjes evropiane. I pres me padurim diskutimet në Samitin e ardhshëm në mes të Majit në Malin e Zi piktoresk“, shkruan kryeministri Rama.

Plani i Rritjes do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë Euro grant dhe 4 miliardë Euro kredi për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së në vitet e ardhshme.

SHARE