BE MIRATON PLANIN E RRITJES PËR BALLKANIN: DY PAGESA VJETORE, NË VARËSI TË KUSHTEVE TË PËRMBUSHURA

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Me këtë miratim kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së.

Pas kësaj, vendet nga Ballkani Perëndimor do të ftohen t’i paraqesin Komisionit Evropian agjendat e tyre të reformave, duke paraqitur reformat socio-ekonomike dhe themelore që planifikojnë të ndërmarrin në tre vjetët e ardhshëm.

Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare.

Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.

Kur parakushtet për mbështetje nuk plotësohen ose nuk plotësohen më, BE-ja mund të vendosë të pezullojë lirimin e fondeve.

Në deklaratën e lëshuar nga Këshilli i BE-së, theksohet se qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.

Kosova dhe Serbia kanë edhe një kusht, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas vendimit të miratuar, në mënyrë që këto dy vende të përfitojnë nga Plani i Rritjes, ato duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive “me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me qëllim zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme për dialogun dhe t’i bashkohet negociatave për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

SHARE