NISHIQ: RRITJA E PUSHIMIT PRINDËROR NË 14 MUAJ MASË POZITIVE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministrja e Punës, Naida Nishiq, prezantoi në parlament ndryshimet në Ligjin e Punës, që synojnë përafrimin me direktivat e Bashkimit Evropian për balancimin e jetës profesionale dhe familjare.

Ndryshimet përfshijnë kushte më fleksibile pune, punë nga distanca dhe të drejta minimale për pushime prindërore dhe për kujdestarët.

Një nga risitë kryesore është pushimi për baballarët: 10 ditë pas lindjes së fëmijës dhe të paktën dy muaj pushim prindëror që nuk mund t’i transferohen nënës. Maksimumi i pushimit prindëror është parashikuar deri në 14 muaj, me qëllim nxitjen e përfshirjes më të madhe të baballarëve dhe lehtësimin e rikthimit të nënave në tregun e punës.

Ndryshimet gjithashtu mundësojnë fleksibilitet më të madh në orarin e punës, ulje të orëve të punës ose punë nga shtëpia për prindërit dhe kujdestarët.

Ligji ekzistues parashikon edhe pushim pa pagesë deri në moshën tre vjeçare të fëmijës, si dhe të drejtën e mungesës nga puna gjatë periudhës së ushqyerjes me gji.

Nga opozita, përfaqësuesja e Partisë Demokratike të Socialistëve, Sonja Popoviq, kritikoi disa zgjidhje të propozuara, duke argumentuar se kufizimi i transferimit të pushimit për baballarët nuk merr parasysh rrethanat e ndryshme familjare dhe sociale, dhe se shteti duhet të ofrojë më shumë fleksibilitet për familjet.

SHARE