Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, është takuar në Cetinë me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Presidenti Millatoviq vlerësoi se vizita e përfaqësueses të lartë të BE-së vjen në një moment vendimtar për rajonin dhe rrugën e tij evropiane dhe se vazhdimi i politikës së zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është një çështje e rëndësishme që mund të dëshmojë fuqinë e Bashkimit Evropian.
“Mali i Zi është i vendosur të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të qenë gati për anëtarësim deri në vitin 2028. Jemi të vetëdijshëm se ky është një objektiv ambicioz, por besojmë se mund ta arrijmë, së bashku me partnerët tanë evropianë. Ne vlerësojmë angazhimin e BE-së për t’iu përmbajtur rreptësisht qasjes së bazuar në merita. Si kandidati më i avancuar për anëtarësim, ne jemi shumë të motivuar për të pritur Samitin e Komunitetit Politik Evropian në pranverën e vitit të ardhshëm. Koha e Samitit është veçanërisht e rëndësishme për Malin e Zi, sepse në maj të vitit 2026 ne festojmë 20 vjet nga rikthimi i pavarësisë”, tha presidenti Millatoviq.
Presidenti i Malit të Zi gjatë takimit me Kallas tha se pret që BE-ja të përcaktohet qartë ndaj Marrëveshjes ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, nëse është në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Gjatë bisedës, përfaqësuesja e lartë e BE-së shprehu mbështetjen e saj të plotë për afrimin e mëtejshëm të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.