Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq tha sot se Mali i Zi është lider në procesin e integrimit evropian.
Ai tha se është i vjen mirë që përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë njëkohësisht nënkryetare e Komisionit Evropian (KE), Kaja Kallas, zgjodhi Malin e Zi si vendin e parë që vizitoi gjatë turneut të saj rajonal.
Në konferencën për shtyp në Villa Goricë, Spajiq falënderoi Kallas për mbështetjen e integrimit të Malit të Zi në BE.
Ai theksoi se përkushtimi i plotë i Malit të Zi në politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane nuk vihet në pikëpyetje.
“Shpresoj se këtë vit do të mbyllim më shumë kapituj të negociatave me BE-në. Viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm. Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe gjithçka që bëni për ne. Nuk kemi dyshime, BE-ja është qëllimi ynë dhe asgjë nuk do të na largojë nga rruga e duhur”, tha Spajiq.
Kallas përshëndeti qasjen malazeze ndaj reformave dhe vuri në dukje se angazhimi ndaj reformave në Mal të Zi është mbresëlënës.
“Unë përshëndes marrëveshjen pothuajse të përfunduar me opozitën që lejon Parlamentin të vazhdojë të funksionojë. Tani duhet të fokusoheni te reformat. Mund t’ju siguroj se ne jemi këtu për ju në çdo hap”, tha Kallas.
Ajo tha se është veçanërisht krenare për rolin e Delegacionit të BE-së dhe ambasadorit Johan Sattler për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje mes Qeverisë dhe opozitës.
Kallas tha se kur bëhet fjalë për Planin e Rritjes për BE-në, se avansi i parë prej pak më shumë se 26 milionë euro do të realizohet gjatë këtij muaji.
Ajo theksoi bashkëpunimin në fushën e sigurisë, veçanërisht në prokurimin e pajisjeve ushtarake dhe mjekësore.
Në pyetjen e gazetarit për marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe lidhur me investimet dhe bashkëpunimin ekonomik, Spajiq tha se reagimet e para tregojnë se mund të pritet përkrahja e një pjese të opozitës.
Ai beson se bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe është në përputhje me komunikimin me partnerët e BE-së dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrëveshje të tilla me disa anëtarë të BE-së.
Për këtë temë, Kallas tha se zhvillimi ekonomik i Malit të Zi është në interes të BE-së. Ajo theksoi se është e rëndësishme që në këtë kuptim të respektohen ligjet e Malit të Zi dhe që kompanitë nga BE-ja të kenë të njëjtat të drejta si të tjerat.