Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në një ceremoni solemne të mbajtur sot, është hapur zyrtarisht Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Ulqin, një ngjarje që ka shënuar një moment historik për këtë qytet dhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Në ceremoni morën pjesë figura të rëndësishme nga dy shtetet, duke përfshirë ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Arben Doçi, ambasadoren e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, si dhe ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka Hoxha.
Të pranishëm ishin gjithashtu zyrtarë të lartë të Qeverisë së Malit të Zi dhe Parlamentit të Malit të Zi, drejtues të partive politike shqiptare dhe të institucioneve të ndryshme, si dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalimet e mbajtura, u theksua se hapja e Konsullatës do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Ministri Hasani shprehu kënaqësinë për hapjen e konsullatës, duke theksuar se Ulqini është “një urë që lidh popujt tanë përmes respektit dhe bashkëjetesës së gjatë”.
Ai theksoi angazhimin e përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më të fortë dhe më të begatë, duke shtuar se “hapja e konsullatës është një hap i rëndësishëm për avancimin e bashkëpunimit dypalësh” dhe se do të ofrojë mbështetje të fuqishme për iniciativa në fusha të ndryshme, përfshirë kulturën, arsimin dhe ekonominë.
Ministri Ibrahimoviq theksoi se lidhjet historike, kulturore, ekonomike dhe familjare mes qytetarëve të Malit të Zi dhe Shqipërisë krijojnë një bazë të fortë për vazhdimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Ai shtoi se “hapja e një tjetër misioni diplomatik të Shqipërisë në Mal të Zi është një simbol i angazhimit të ndërsjellë për bashkëpunim dhe përmirësim të lidhjeve të vlefshme.”
Ai theksoi gjithashtu se zgjedhja e Ulqinit, një qytet që pasqyron multikulturalizmin dhe bashkëjetesën harmonike, si vendndodhje për Konsullatën, konfirmon edhe më tej lidhjen e fortë mes popujve tanë.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu shprehet se sot është një ditë historike, një ditë nderi, sepse Konsullata e Shqipërisë hap dyert.
„Jemi të gjithë të gëzuar për këtë ngjarje të rëndësishme. Emocionet janë të shumta dhe të papërshkrueshme,“ theksoi Nimanbegu.
Ai më tej shton se Konsullata e Shqipërisë në Mal të Zi është një ngjarje me vlerë të jashtëzakonshme që sjell një ndjesi të veçantë për të gjithë.
„Ajo do të shërbejë si një pikëtakimi i rëndësishëm në fushën e kulturës, sportit, artit dhe ekonomisë, duke forcuar lidhjet mes dy kombeve dhe duke promovuar vlerat e përbashkëta.
Nesër mbrëma, në rubrikën „Aktuale“, do të mund të ndiqni ceremoninë e hapjes së Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Ulqin.