Alternativa Shqiptare, kryetari i së cilës është Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, theksuan se ata duhet të mendojnë dhe të përpiqen të bëhen pjesë e buxhetit të Shqipërisë dhe Kosovës sepse Qeveria e Malit të Zi, siç thonë ata, synon degradimin ekonomik të vendbanimeve autoktone shqiptare. “Qeveria e Dritan Abazoviqit, në propozimin e buxhetit për vitin 2021 nuk ka planifikuar asnjë cent investime në Komunën e Tuzit, edhe pse na takon me ligj,” theksuan nga ASH. “Pasi që ishte mysafir në Tuz, para disa kohëve dhe premtimeve që bëri, Abazoviq duhet të turpërohet për (mos)veprimet! Pothuajse të njëjtën praktikë ka vazhduar edhe në Ulqin, si dhe në komunat e tjera ku jetojnë shqiptarët,” thuhet në kumtesë. Sipas ASH-së, kjo Qeveri, nuk po i kryen obligimet që parashihen me ligj ndaj komunës së Tuzit, siç veprohet me komunat e tjera në Mal të Zi. Ata theksojnë se komuna e Tuzit në buxhetin e shtetit çdo vit paguan tatime mbi gjysmë milioni euro. “Këto e shumë argumente të tjera e dëshmojnë se Abazoviq është pjesë e qeverisë antishqiptare dhe se keni qëllim degradimin ekonomik të vendbanimeve autoktone shqiptare. Ne si popull shqiptarë, s’na mbetet asgjë tjetër, por që duhet seriozisht të mendojmë dhe kërkojmë të bëhemi pjesë e buxheteve të Shqipërisë dhe Kosovës,” thuhet në kumtesën e Alternativës Shqiptare.