MINISTRIA E ADMINISTRATËS PUBLIKE MBËSHTET INICIATIVËN E PRESIDENTIT PËR FUTJEN E LISTAVE TË HAPURA

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministria e Administratës Publike mbështet iniciativën e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për futjen e listave të hapura zgjedhore.

“Ne besojmë se reforma zgjedhore duhet të fillojë në nivel lokal, me lista të hapura, zgjedhje të drejtpërdrejtë të kryetarit dhe zgjedhje lokale në një ditë. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jenë proceset reformuese që do t’u mundësojnë qytetarëve të kenë ndikim demokratik dhe të fuqishëm në zgjedhjen e përfaqësuesve, si dhe krijimin e një sistemi politik stabil”, ka thënë ministri i Administratës Publike Marash Dukaj në rrjetin social X.

MAP tashmë ka ndërmarrë hapa për përgatitjen e propozimeve konkrete që do të kontribuojnë në arritjen e këtij qëllimi, me të cilat do të zgjidhen edhe situatat e pakëndshme në vetëqeverisjet lokale.

“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë, autoriteteve shtetërore, pushteteve lokale, sektorit joqeveritar, komunitetit akademik dhe mediave – që me mbështetjen e partnerëve të BE-së, së bashku të bëjmë një reformë historike në të mirë të Malit të Zi dhe të gjithë qytetarëve të tij”, tha Dukaj.

SHARE