MILLATOVIQ ME PAPËN: PRESIM VIZITËN E TIJ NË MAL TË ZI

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka takuar në Vatikan Papa Françeskun, me ftesë të të cilit po bën një vizitë zyrtare në Selinë e Shenjtë.

“Ne presim vizitën e tij historike në Mal të Zi”, ka shkruar Millatoviq në një postim në Facebook.

Para audiencës private me Papën, Millatoviq u prit në mënyrë solemne nga Garda zvicerane dhe pas një bisede me kreun e Kishës Katolike Romake, atij iu prezantua një vepër që përshkruan Virgjëreshën Mari, e cila njihet si një pasuri kulturore jomateriale e mbrojtur e Malit të Zi.

Ai theksoi rëndësinë e avokimit të Papa Françeskut për paqen, drejtësinë dhe barazinë mes njerëzve dhe përshëndeti aktivitetet e Papës në drejtim të kujdesit për refugjatët, dërgimit të ndihmave në vendet e pazhvilluara, luftimit të varfërisë, si dhe forcimit të rolit të sundimit të ligji dhe dialogun  ndërfetar.

Ai theksoi se Mali i Zi është një shtet vërtet multietnik dhe multikonfesionist i përkushtuar ndaj valorizimit të plotë të traditave shpirtërore dhe kulturore të të gjitha bashkësive fetare.

Ai vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera mes Malit të Zi dhe Kishës Katolike, duke shtuar se besimtarët e saj janë qytetarë besnikë dhe të respektuar të vendit tonë.

Krahas takimit me Papa Françeskun, Millatoviq ka takuar edhe Sekretarin Shtetëror të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin.

“Gjatë takimit u konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore ndërmjet Malit të Zi dhe Selisë së Shenjtë dhe u theksua interesimi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërshtetëror. Presidenti theksoi rëndësinë e iniciativës së iniciuar të përfaqësisë rezidente të Selisë së Shenjtë në Mal të Zi dhe shprehu gatishmërinë për të ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme për hapjen e Nunciaturës Papnore në Podgoricë. Së fundi, ai ftoi Papën të vizitojë Malin e Zi, i cili do të përfaqësonte një hap përpara në thellimin e marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe Selisë së Shenjtë, por edhe një konfirmim të përkushtimit të shtetit për të ruajtur dhe përmirësuar marrëdhëniet me të gjitha komunitetet fetare në vend,“ është bërë e ditur nga Zyra e Presidentit për Marrëdhënie me Publikun.

SHARE