Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se ndryshimet demokratike në vitin 2020, si dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2023, iniciuan procese të rëndësishme drejt anëtarësimit të vendit tonë në BE.
Kjo, siç vlerësoi ai, mund të jetë një nxitje shtesë për vendet e rajonit. Millatoviq është në një vizitë pune në Austri dhe takimi i parë në serinë e takimeve ishte në Institutin për Shkenca Sociale (IWM) në Vjenë.
“Ishte frymëzuese të merrja pjesë në dialog me përfaqësuesit e këtij Instituti, ku në fillim të bisedës prezantova rezultatet e vendit tonë në periudhën paraprake, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit të pavarësisë së institucioneve,” shkroi presidenti në rrjetin social X.
Ai theksoi se Austria është një nga partnerët më të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe në vazhdimësi i ofron mbështetje Malit të Zi në rrugën drejt integrimeve evropiane.