Prokurori Suprem i Shtetit Millorad Markoviq ka kryesuar seancën e dytë të Këshillit Prokurorial, ku tha se prokuroria do të japë një kontribut të madh për Malin e Zi në rrugën e tij evropiane.
Në seancë njëzëri u konstatua zgjedhja e Denis Zvrko për kryetar të Prokurorisë Themelore të Shtetit në Ulqin.
“Besoj se në muajt në vijim do t’i kushtojmë një fokus të veçantë kapitujve 23 dhe 24. E dimë që strategjia e reformës në drejtësi është në draft, që aktualisht është një diskutim publik dhe është një dokument në lidhje me të cilin do të kushtojojmë vëmendjen e duhur”, tha Markoviq.
Ai tha se fokusi do të jetë në formimin e qëndrimeve të përbashkëta që do të bëjnë që organizata e prokurorisë të jetë sa më efikase, “dhe të gjejë zgjidhje që do t’i mundësojnë Këshillit Prokurorial të punojë në mënyrë më efikase”, tha Markoviq.
Ai ka theksuar se prioritet i Këshillit Prokurorial është plotësimi i pozitave vakante të prokurorëve.
“Këtë në fillim të mandatit e kam diskutuar edhe me sekretarët e Këshillit të Prokurorisë dhe kam kërkuar që ato procese t’i përshpejtojmë brenda afateve të përcaktuara me ligj. Ajo që do të doja të lavdëroja është se Këshilli Prokurorial i kushtoi vëmendjen e duhur vetë prokurorëve”, tha ai.
Ai theksoi se nesër do të ketë një takim me të gjithë drejtuesit e prokurorive të shtetit në Mal të Zi dhe më pas do të vizitojë çdo prokurori për t’u njohur në vend me të gjitha problemet, sfidat dhe nevojat e tyre.