NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR KONTRIBUTIN PREJ 2.5 MILIONË EURO NË FONDIN E ZHVILLIMIT TË PËRSHPEJTUAR

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, Koordinatori i Përhershëm i OKB-së Peter Lunberg dhe ambasadori i Zvicrës në Mal të Zi Urs Shmid nënshkruan sot një marrëveshje për ndarjen e fondeve për Fondin për Zhvillimin e Përshpejtuar të Malit të Zi, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

“Ideja dhe vizioni i kësaj qeverie është që Mali i Zi të bëhet një destinacion i gjelbër. Nuk është punë e lehtë, sepse duhet të ndryshojmë shumë dhe duhet të kemi edhe projekte të qëndrueshme. Jam më se i sigurt se ky fond do të na japë një shans për të gjetur një projekt të mirë dhe pas zbatimit të tij do të kemi një situatë shumë më të mirë në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm”, tha kryeministri Abazoviq.

“Fondi për Zhvillimin e Përshpejtuar të Malit të Zi është një vizion i përbashkët i arritjes së përshpejtuar të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Duke marrë parasysh potencialin e madh zhvillimor, Fondi mund të jetë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e Malit të Zi dhe realizimin e prioriteteve kombëtare, në radhë të parë të pranimit të vendit në Bashkimin Evropian”, tha Lundberg, duke shtuar se Fondi është rezultat i një partneriteti të vërtetë zhvillimor.

“Pjesëmarrja e Zvicrës në Fondin për Zhvillimin e Përshpejtuar të Malit të Zi do të përmirësojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe besoj se kontributi ynë do të inkurajojë vendet e tjera dhe partnerët e zhvillimit të bashkohen dhe përmes këtij mekanizmi financiar novator të kontribuojnë në përshpejtimin e reformave në Mal të Zi,” tha Shmid.

SHARE