Kushtet për lehtësim shtesë të masave në luftën kundër koronavirusit të ri në Mal të Zi nuk janë plotësuar ende, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Ata rikujtojnë se masat aktuale janë në fuqi deri më 18 shkurt. “E kemi theksuar vazhdimisht se, nëse situata epidemiologjike do të jetë më e favorshme, mund të ndodhë që masat të liberalizohen edhe më tej para këtij afati. Nëse plotësohen kushtet para datës 18 shkurt, ne do ta informojmë publikun në kohën e duhur, si gjithmonë”, thuhet në deklaratën e ISHP. Ata shtojnë se pas rritjes së rasteve të reja në fund të vitit të kaluar, si dhe në javën e parë të janarit të këtij viti, në katër javët e fundit ka pasur një rënie të numrit të rasteve të reja, kështu që numri i rasteve të reja në dy javët e fundit është më i ulët për rreth 50% krahasuar me dy javët e mëparshme. “Pavarësisht nga këto të dhëna, niveli ditor i sëmundjes është ende i lartë, ndaj nuk duhet të ketë relaksim”, thekson ISHP. Ata apelojnë edhe një herë tek qytetarët që të vaksinohen nëse nuk e kanë bërë këtë deri më tani, apo nëse kanë kaluar 5 muaj nga doza e fundit e vaksinës të marrin dozën e tretë përforcuese.