Foto: Shutterstock
Me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse, udhëheqësit shqiptarë në Mal të Zi kanë uruar të gjithë qytetarët, duke përcjellë mesazhe paqeje, dashurie dhe bashkëpunimi.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, në emër të komunës dhe në emër të tij personal, uroi të gjithë besimtarët ortodoksë, ku ndër të tjera në urimin e tij tha: “Kjo festë le të na sjellë paqe, dashuri dhe begati në shtëpitë tona, dhe të forcojë lidhjet tona përmes respektit dhe solidaritetit. Krishtlindja është koha e gëzimit dhe shpresës, kur kremtojmë vlerat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.”
Po ashtu, zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, uroi besimtarët ortodoksë duke theksuar rëndësinë e vlerave të solidaritetit, përgjegjësisë dhe kohezionit shoqëror për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të prosperuar për të gjithë qytetarët.
Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, u shpreh se “në ditët e shënjta para Krishtlindjes është fisnike të falim. Sepse, nëse duam një botë më të mirë, ndryshimet duhet të fillojnë nga vetë ne. Në këtë mënyrë do të çlirojmë zemrën nga urrejtja dhe do të krijojmë më shumë hapësirë për dashuri, paqe dhe lumturi. Le të jetë dita e Buzmit në frymën e mendimeve dhe dëshirave të mira, që Krishtlindja t’u sjellë të gjithëve gëzim dhe begati.”
Po ashtu, ministri Marash Dukaj, në emër të Ministrisë së Administratës Publike, përcolli urime për festat, duke theksuar se mesazhi i ditës së Buzmit dhe Krishtlindjeve është ai i shpresës, dashurisë dhe faljes. Ai nënvizoi se këto vlera janë themeli i respektit, solidaritetit dhe bashkëpunimit mes qytetarëve, duke forcuar besimin te njëri-tjetri dhe tek institucionet.








