SITUATA E PËRMBYTJEVE NË MAL TË ZI: DANILLOVGRADI MË I PREKURI, EVAKUIME EDHE NË PODGORICË

Foto: Mediabiro

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Miodrag Beshoviq bëri të ditur në një konferencë për media se të gjithë kapacitetet e Shërbimit janë aktivizuar dhe se ekipet komunale janë vazhdimisht në terren, duke bashkëpunuar me shërbimet e tjera dhe Institutin Hidrometeorologjik dhe Sizmiologjik për të marrë informacion mbi nivelin e ujit.

Ai tha se situata për momentin nuk është katastrofale. Beshoviq bëri të ditur se nivel i ujit në lumenjtë e zonës së Adriatikut dhe Danubit është në rënie ose stabilizim, dhe se pritet që moti më i mirë nesër të ndihmojë në uljen e mëtejshme të nivelit të ujit.

Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për lirimin e ujërave nga kapacitetet hidroelektrike atje, duke nënvizuar se momentalisht po lirohen 1.100 metra kub ujë në sekondë, dhe se nesër parashikohet ulje në 500 metra kub, gjë që pritet të zvogëlojë ndjeshëm prurjet nga Shqipëria.

Sipas tij, kjo nuk ka rrezikuar liqenin e Shkodrës dhe fusha e Zetës ka kapacitet të përballojë akoma ujë, edhe pse shpresohet që të mos nevojitet.

Ai theksoi se ekipet janë të gatshme për veprime të mëtejshme dhe se, megjithë situatën kritike në disa komuna, situata mbetet nën kontroll. Beshoviq gjithashtu bëri të ditur se shërbimet lokale të Podgoricës janë angazhuar në hapjen e digave në kanalin e Marezës për parandalimin e përmbytjeve.

Në konferencë u diskutua edhe për planet e veprimit në situata krizash, ku u bë e ditur se disa plane janë përfunduar, por është e nevojshme që të gjitha shërbimet qeveritare të jenë të përfshira dhe të dinë detyrat e tyre gjatë veprimeve emergjente.

SHARE