Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) e Kosovës ka deklaruar se në vend ekziston mundësia e përkeqësimit të situatës në rast të reshjeve të reja të shiut, duke potencuar se rreziku aktual vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme të reagimit, transmeton Anadolu.
Duke folur për gjendjen aktuale, AME theksoi se situata me vërshime paraqitet dinamike, me raste të lokalizuara në disa komuna si pasojë e reshjeve të shtuara.
“Përveç tjerash edhe me faktin se zona e Anadrinisë, Komuna e Prizrenit në të dyja anët e rrjedhës se Drinit është përmbytur nga Drini i Bardhë. Rruga Gjonaj – Krajk e bllokuar shkaku i daljes së Drinit të Bardhë në rrugë, sipas Policisë në nivel mbi 1.5 metra e dalë në rrugë Gjonaj – Krajk, Komuna e Prizrenit. Në pjesën tjetër të vendit, gjendja është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”, thuhet në njoftim.
Agjencia ka njoftuar se njësitë profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në koordinim me Qendrën Operative të Agjencisë dhe strukturat komunale janë të angazhuara në koordinimin e mbështetjes qeveritare, në intervenime për pompim të ujit, sigurim të objekteve të rrezikuara dhe monitorim të pikave kritike.
Tutje, AME u ka bërë apel qytetarëve të shmangin zonat e prekura të cilat mund të përbëjnë rrezik.
Gjatë dy ditëve të fundit, komuna të shumta të Kosovës po përballen me vërshime, të cilat janë shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë rënë ditët e fundit. Për pasojë shumë shtëpi dhe biznese janë përmbytur, ndërsa në dy komuna është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.







