KONGRESI AMERIKAN E CERTIFIKON FITOREN E TRUMPIT NË ZGJEDHJE

Foto: kallxo.com

Kongresi amerikan e ka certifikuar edhe formalisht fitoren e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kundër kandidates demokrate, nënpresidentes Kamala Harris, duke i hapur rrugën atij për t’u betuar si president më 20 janar.

Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të hënën në 50 shtete dhe në Distriktin e Kolumbias u bë në një ceremoni formale dhe të shpejtë gjatë një seance të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Seanca u udhëhoq nga Harris në rolin e presidentes së Senatit.

Ceremonia e së hënës kaloi plotësisht ndryshe krahasuar me atë të para katër vjetëve, kur një grup i mbështetësve të Trumpit e vërshuan Kongresin një përpjekje të dështuar për ta parandaluar certifikimin e fitores së presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, në të cilat ai e mposhti Trumpin.

Trumpi vazhdon të pretendojë rrejshëm se i humbi zgjedhjet e vitit 2020 si pasojë e manipulimit të gjerë.

“Kongresi e certifikoi fitoren tonë të madhe sot – ky është një moment i madh në histori. MAGA!” shkroi të hënën Trump në platformën e tij sociale, Truth Social,

Certifikimi përfundimtar konfirmon rezultatin preliminar se Trumpi i fitoi 312 vota elektorale, ndërsa Harrisi 226.

SHARE