KFOR-i i përgjigjet Serbisë lidhur me dërgimin e ushtarëve në Kosovë

Përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë kanë marrë nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) përgjigjen ndaj kërkesës për dërgimin në Kosovë të deri 1.000 ushtarëve dhe policëve nga Serbia.

Përgjigjja është marrë nga përfaqësuesit e Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes teknike ushtarake, të premten, më 6 janar, në pikën kufitare Merdar, ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Kjo ministri nuk ka specifikuar se çfarë i është përgjigjur KFOR-i ndaj kërkesës së Serbisë, por ka thënë se dokumenti i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ushtria e Serbisë, natën mes 15 dhe 16 dhjetorit të vitit të kaluar, i ka dërguar një e-mail zyrës së KFOR-it, me kërkesë për dërgimin e deri në 1000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Serbia ka marrë vendimin lidhur me dërgimin e pjesëtarëve të forcave të sigurisë si reagim ndaj, siç pretendojnë autoritetet në Beograd, pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Beogradi zyrtar, në adresimin e kësaj kërkese, i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999.

Dërgimi i kërkesës ndodhi në ditët kur u shtuan tensionet në veri të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, gjë që Beogradi zyrtar e refuzon.

Përfaqësues të komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë. Më 8 dhjetor, autoritetet e Kosovës vendosën të dërgojnë forcat e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, ku serbët përbëjnë popullatën shumicë.

SHARE