KUSHTETUESJA ANULON ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NË RUMANI, PAS AKUZAVE PËR NDËRHYRJE RUSE

Foto: Octav Ganea (Inquam Photos)

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka marrë vendim që zgjedhjet presidenciale, balotazhi i të cilave pritej të mbahej këtë fundjavë, të shfuqizohen tërësisht dhe të mbahen zgjedhje të reja.

Kushtetuesja e mori këtë vendim të premten, duke thënë se Qeveria duhet të vendosë tani për datën e zgjedhjeve të reja presidenciale.

Vendimi i gjykatës erdhi pas akuzave për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, gjë që, sipas shërbimeve të inteligjencës rumune, ndihmuan kandidatin e ekstremit të djathtë dhe miqësor ndaj Moskës, Calin Georgescu, ta fitojë rundin e parë të zgjedhjeve.

“Procesi zgjedhor për zgjedhjen e presidentit të Rumanisë do të rifillojë nga e para. Qeveria do të caktojë një datë të re për zgjedhjet presidenciale në Rumani, si dhe një program të ri kalendarik për kryerjen e veprimeve të nevojshme”, tha gjykata.

Nuk është ende e paqartë pas vendimit të gjykatës nëse të gjithë kandidatët do të lejohen të riregjistrohen për zgjedhjet e reja, apo nëse Georgescu mund të përjashtohet nga zgjedhjet pasi u zbulua se ai gëzoi mbështetje nga Moska.

Fitorja e Georgescut tronditi Perëdnimin, pasi Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë publikoi dokumente të klasifikuara për të cilat tha se tregojnë dëshmi se një fushatë e madhe kibernetike, e orkestruar nga Moska, në TikTok në favorit të Georgescut, nuk u vërejt nga autoritetet rumune.

Georgescu pritej të përballej në balotazh me kandidaten proevropiane të qendrës, Elena Lasconi, të dielën e 8 dhjetorit.

Votimi kishte filluar në diasporë në balotazhin presidenciale të Rumanisë, i cili shihej si referendum për të ardhmen e vendit në NATO dhe në Bashkim Evropian, për shkak se ka pasur shumë akuza se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje.

Dyshimet për ndërhyrjen ruse sollën mijëra rumunë nëpër rrugët e vendit për të protestuar në përkrahje të anëtarësimit të vendit në bashkësinë euroatlantike.

Autoritetet rumune kishin vendosur t’i jepnin diasporës së madhe dy ditë e gjysmë për të votuar, për t’i shmangur pritjet e gjata në misionet e jashtme diplomatike të vendit.

SHARE