Edhe pse ka një prejardhje greke, kjo salcë përgatitet gjerësisht edhe në vendin tonë.
Ajo është shoqëruesja perfekte e qofteve, patateve, mishit të pjekur por edhe e shumë recetave të tjera.
Në shumë shtëpi kjo salcë përgatitet edhe për darkën e Vitit të Ri.
Me shije të veçantë ajo premton vetëm kënaqësi dhe freski, e cila sigurisht që duhet për të plotësuar në tërësi tryezën tuaj.
AgroWeb.org ju tregon shkurt hapat që ju duhen për ta përgatitur salcën e famshme të quajtur xaxiq.
Përbërësit
3-4 kastravecë
1 gotë e gjysmë uji me salcë kosi
2 lugë gjelle vaj ulliri
2 lugë gjelle me kopër të grirë hollë
1 lugë gjelle me lëng limoni
1-2 thelpinj hudhër
Kripë
Përgatitja
Sekreti i përgatitjes së kësaj recete është pikërisht salca e kosit.
Nëse dëshironi një shije krejtësisht speciale dhe autentike, duhet ta përgatisni atë vet në shtëpi.
Mjafton të kulloni për 15-20 orë 2-3 gota uji me kos të futura në një napë e më pas atë ta lidhni mbi nje tepsi.
Recetën e përgatitjes së salcës së kosit mund ta lexoni të plotë duke klikuar këtu.
Pasi të keni mbaruar me salcën e kosit, AgroWeb.org ju sugjeron që të vazhdoni me grirjen e kastravecëve.
Sigurisht mund të përdorni renden, por për të larguar ujin që kastravecët lëshjnë do t’ju duhet t’I shtrydhni.
Duke i marrë duar-duar shtrydhini mbi lavaman e më pas lërini në një tas kastravecët e grirë.
Shtoni salcën e kosit, vajin e ullirit, erëzat, lëngun e limonit, hudhrën e shtypur dhe kripën.
Nisni t’I përzieni me ndihmën e një luge, derisa përbërësit të jenë lidhur mirë.
Mbulojeni me një qese kuzhine dhe lëreni të pushojë salca në frigorifer për 10-15 minuta.
AgroWeb.org ju këshillon që të mos e anashkaloni këtë hap të recetës, pasi është pikërisht ai që mundëson marinimin e salcës.
Më pas mund t’i hidhni edhe pak vaj ulliri në sipërfaqe si dhe të shtoni kokrra ulliri për ta bërë pjatën tuaj sa më të bukur./AgroWeb.org