BE NDALON IMPORTET E PRODUKTEVE QË NXISIN SHPYLLËZIMIN

Bashkimi Evropian ra dakord për një ligj të ri për të parandaluar kompanitë të shesin në tregun e BE kafe, mish viçi, soje dhe mallra të tjera të lidhura me shpyllëzimin në mbarë botën. Ligji do t’u kërkojë kompanive të prodhojnë një deklaratë që tregon se zinxhirët e tyre të furnizimit nuk po kontribuojnë në shkatërrimin e pyjeve përpara se të shesin mallra në BE – ose mund të përballen me gjoba të mëdha. Shpyllëzimi është një burim kryesor i emetimeve të gazrave serrë që nxisin ndryshimet klimatike dhe do të jetë në fokus në një konferencë të OKB-së COP15 këtë javë, ku vendet do të kërkojnë një marrëveshje globale për të mbrojtur natyrën. Ky ligj do të zbatohet për sojën, mishin e viçit, vajin e palmës, drurin, kakaon dhe kafen, dhe disa produkte duke përfshirë lëkurën, çokollatën dhe mobiliet. Goma, qymyri dhe disa derivate të vajit të palmës u përfshinë me kërkesë të ligjvënësve të BE-së. Kompanitë duhet të tregojnë se kur dhe ku janë prodhuar mallrat dhe informacione të verifikueshme se ato nuk janë rritur në tokë të shpyllëzuar pas vitit 2020. Mosrespektimi mund të rezultojë në gjoba deri në 4% të xhiros së një kompanie në një shtet anëtar të BE-së. Vendet që do të ndikohen nga rregullat e reja, duke përfshirë Brazilin, Indonezinë dhe Kolumbinë, thonë se ato janë të rënda dhe të kushtueshme. Certifikimi i furnizimit është gjithashtu i vështirë për t’u monitoruar. Ligji mund të hyjë në fuqi 20 ditë më vonë, pas së cilës kompanitë e mëdha kanë 18 muaj për ta zbatuar, ndërsa firmat më të vogla 24 muaj.

SHARE