SPIROPALI TAKIM ONLAJN ME MARTA KOS: RAPORTI I BE-së FORCON VENDOSMËRINË E SHQIPËRISË DREJT INTEGRIMIT

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim onlajn me Komisaren Evropiane për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Marta Kos, në lidhje me raportin e progresit për Shqipërinë, të publikuar një ditë më parë, transmeton Anadolu.

Në një postim në platformën amerikane X, Spiropali e cilësoi raportin “realist dhe të balancuar”, duke theksuar se gjetjet e tij njohin angazhimin e fortë politik dhe ritmin e reformave në vend.

“Faleminderit komisares Marta Kos për takimin shumë të frytshëm mbi Paketën e Zgjerimit të publikuar dje, dhe, në veçanti, për raportin e progresit për Shqipërinë”, shkroi Spiropali, duke shprehur mirënjohje për “përkushtimin e fortë ndaj agjendës së zgjerimit dhe bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian”.

Ajo shtoi se vendosmëria e Shqipërisë për të avancuar në procesin e anëtarësimit në BE, përmes parimit të meritës dhe vizionit afatgjatë, “vetëm forcohet” nga vlerësimet e raportit.

Spiropali theksoi se procesi i integrimit është dhe do të mbetet në interes të qytetarëve shqiptarë dhe të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, ndërsa tha se vendi ka ruajtur rekordin e përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të bllokut evropian.

Ai po ashtu theksoi se Tirana është “në rrugën e duhur” për të përmbushur objektivin e përfundimit të negociatave deri në vitin 2027.

SHARE