AKSIONI “ÇMIMET E KUFIZUARA” DERI MË 31 MARS, PËRFSHIN RRETH 900 ARTIKUJ

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria ka vendosur të zgjasë aksionin “Çmimet e kufizuara” deri më 31 mars të vitit të ardhshëm, në kuadër të të cilit çmimet e 800 deri në 900 artikujve do të ulen nga 15 deri në 20 për qind, njoftoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.

Në konferencën për shtyp, Gjeloshaj tha se në bashkëpunim me Odën Ekonomike, prodhuesit, shitësit me shumicë dhe pakicë, janë mbajtur disa takime ditët e fundit, është formuar një grup pune dhe është marrë vendimi për kufizimin e marzhave në një numër të caktuar produktesh.

“Qëllimi i Qeverisë ka qenë të gjejmë një zgjidhje që vjen si rezultat i marrëveshjes, pra të mos imponohet, por të hapim dialogun”, tha Gjeloshaj.

Aksioni “Çmimet e kufizuara” do të jetë pothuajse i njëjtë me të mëparshmin, duke përfshirë rreth 70 produkte të njëjta. Vendimi pritet të publikohet sot në Fletoren Zyrtare, ndërsa zbatimi do të fillojë tetë ditë pas publikimit, në mënyrë që tregtarët me shumicë dhe pakicë të kenë kohë të përgatiten.

“Në total, rreth 800 deri në 900 artikuj ndodhen në listat e dyqaneve me pakicë. Sipas përllogaritjeve tona, pritet që këta artikuj të jenë më të lirë nga 15 deri në 20 për qind. Kjo, megjithatë, varet nga tregu – jo të gjithë kanë të njëjtat çmime për këto produkte, ndaj qytetarët le të shikojnë ku janë më të lira”, shtoi ai.

Ai theksoi se aksioni do të përfshijë edhe prodhuesit vendas që ofrojnë produkte konkurruese, por nga aksioni janë përjashtuar frutat dhe perimet, pasi prodhuesit e tyre janë ankuar se në aksionet e mëparshme kanë qenë më të prekurit dhe u është rrezikuar biznesi.

Gjeloshaj përsëriti se duhet të shqyrtohet mundësia që në vend të kësaj të ulet TVSH-ja për frutat dhe perimet.

Qeveria ka marrë gjithashtu vendim për kufizimin e çmimeve të peletit.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Vladimir Jokoviq, tha se në dy muajt e fundit janë vërejtur rritje të tepruara të çmimeve të peletit, që nuk ishin të tilla gjatë pranverës apo vitin e kaluar.

Çmimet janë kufizuar në nivelin e para dy viteve, konkretisht:

  • 270 euro për ton në shitjen me pakicë,
  • 250 euro për ton në shitjen me shumicë, me TVSH të përfshirë.

“Në komunikim me Drejtorinë për Menaxhimin e Pyjeve, nuk kemi gjetur asnjë arsye ekonomike të vlefshme për rritjen e çmimeve, pasi vitin e kaluar dhe në pranverë çmimet kanë qenë madje më të ulëta se sa kufiri që kemi vendosur tani,” tha Jokoviq.

Ai shtoi se disa prodhues peleti kanë shfrytëzuar momentin për të rritur çmimet në kohën kur qytetarët janë të detyruar ta blejnë.

“Nëse, eventualisht, do të vijë deri te mungesa e peletit, ne do të ndalojmë eksportin, siç kemi bërë më parë. Së pari duhet të furnizohet tregu vendor, e më pas të eksportohet teprica,” theksoi ai.

Sipas Jokoviqit, vendimi i Qeverisë nuk është i drejtuar kundër përpunuesve të drurit, por synon që çmimet të jenë reale dhe të mbrohet standardi i qytetarëve.

SHARE