UDHËHEQËSIT E MALIT TË ZI UROJNË TRUMP PËR FITOREN E TIJ NË ZGJEDHJE

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka uruar Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhje.

“Urime Presidentit Trump për rikthimin e tij të jashtëzakonshëm. Po vjen koha më e mirë për të dy vendet”, ka shkruar Spajiq në platformën X.

Kryeministrit të Malit të Zi i ka lënë përshtypje të veçantë entuziazmi i qytetarëve të SHBA-së.

“I mahnitur nga fakti që 61 për qind e amerikanëve besojnë se ditët më të mira për Shtetet e Bashkuara nuk kanë ardhur ende. Ky është sekreti i suksesit të këtij vendi dhe pse do të fitojë në të gjitha rrethanat. Nëse nuk besoni se është e mundur – nuk do të ndodhë. Mendimi ekonomik i „Evropa Tani 1 dhe 2“ fitoi mbrëmë edhe në SHBA: taksa dhe kontribute më të ulëta në të ardhurat e qytetarëve dhe të ardhura shtetërore nga taksat indirekte”, përfundoi Spajiq.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka uruar presidentin e sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump.

“Mali i Zi dhe SHBA janë miq dhe partnerë të palëkundur, të bashkuar nga qëllimet dhe vlerat e përbashkëta, që synojnë përmirësimin e demokracisë, sigurisë, stabilitetit dhe lirisë. Si aleatë në NATO, presim bashkëpunim të ngushtë me administratën tuaj për të forcuar miqësinë dhe për të thelluar bashkëpunimin”, tha Millatoviq në rrjetin X.

Po ashtu, kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq ka uruar Donald Trump për fitoren.

“Urimet më të sinqerta presidentit të sapozgjedhur Donald Trump për fitoren e tij. Kjo nuk reflektohet vetëm në rikthimin e tij historik në Shtëpinë e Bardhë, por edhe në faktin se së bashku me Partinë Republikane që drejtonte, ai arriti fitoren në Senat po ashtu”, tha Mandiq.

Ai shton se është “i sigurt se së bashku do të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe do të ruajnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

SHARE