Donald Trump ka siguruar 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor për të fituar zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, duke mposhtur Kamala Harrisin, sipas disa raporteve të mediave amerikane, përfshirë Associated Press dhe CNN.
Me një fitore në Uiskonsin, Trump, ish-presidenti dhe kandidati i Partisë Republikane, kaloi 270 votat e nevojshme për ta siguruar fitoren në garën presidenciale kundër Harrisit, aktualisht zëvendëspresidenteve e Shteteve të Bashkuara dhe kandidate e Partisë Demokratike.
Më herët, Trump shpalli veten fitues përpara një grupi mbështetësish.
“Nuk do të pushoj derisa të kemi arritur një Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë, që fëmijët tanë meritojnë dhe që ju meritojeni”, iu drejtua ai turmës së entuziazmuar të mbështetësve në orët e para të mëngjesit të 6 nëntorit, në Floridë.
Në një goditje të mëtejshme për Demokratët, Partia Republikane gjithashtu mori kontrollin e Senatit.
“Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm”, tha Trump para përkrahësve në Floridë.
Forcimi i republikanëve pritet të ketë pasoja të mëdha për luftën e Rusisë në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera globale.
Përderisa Harris kishte thënë se do të vazhdonte politikën e presidentit Joe Biden për mbështetje ndaj Ukrainës dhe kishte shprehur qartë dëshirën e saj për t’i parë forcat ruse të mundura, Trump shpesh ka vënë në dyshim mbështetjen e SHBA-së për Kievin, duke thënë se Evropa duhet të mbajë barrën kryesore dhe gjithashtu ka lënë të pasigurt të ardhmen e NATO-s.
Republikanët fituan një shumicë në Senatin e SHBA-së pasi rrëzuan ulëset demokrate në Virgjinia Perëndimore dhe Ohajo.
Asnjëra nga partitë nuk dukej të kishte një avantazh në luftën për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ku aktualisht republikanët mbajnë një shumicë të ngushtë.