GJYKATA ADMINISTRATIVE RIKTHEN NË KUVEND 24 DEPUTETËT E PD

Gjykata Administrative pasi ka shqyrtuar padinë e kreut të grupit të PD ndaj Sekretariatit të Etikës, ka vendosur shfuqizimin e pjesshëm të tij.

Referuar vendimit të zbardhur, Gjykata Administrative nuk njeh përjashtimin me 60 ditë të Flamur Nokës, Bledion Nallbatit e Gazment Bardhit, duke e shndërruar atë në përjashtim për 10 ditë, pasi në parashikimet e Rregullores së Kuvendit nuk ka asnjë parashikim për një masë të tillë për veprimin e deputetëve në fjalë.

Po ashtu, është shfuqizuar edhe vendimi për përjashtimin me 40 ditë e 19 deputetëve të tjerë ndaj të cilëve gjykata vendos përjashtim për 5 ditë nga punimet e Kuvendit.

I shfuqizuar është edhe vendimi për deputetin Edi Paloka.

Në një reagim në Facebook, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi e konsideron si dënim pa ligj vendimin e ekretariatit të Etikës, dhe sipas tij Gjykata Administrative ka provuar se beteja e deputetëve të opozitës në Parlament ishte e drejtë.

Sipas tij është hera e parë që deputetët e opozitës dënohen nga një rregullore e shfuqizuar nga Kushtetuesja. Ndërkohë në reagimin e tij, ka edhe një thirrje për kritikët e aksionit opozitar, mes të cilëve më i zëshmi ishte ambasadori i BE Silvio Gonzato.

“Ne presim me padurim që ti vijë zëri për të dënuar aktin antikushtetuese, kujtdo që fajësonte me pa të drejtë opozitën dhe i kërkonte asaj që të luante rolin e vet brenda Kuvendit, ndërkohë që e vërteta ishte që opozita po pengohej me dënime PA LIGJ, me tela hekuri dhe Forca Sigurie, që të futej në Kuvend.”, shkruan ndër të tjera Bardhi.

Kreu i grupit të PD paralajmëron se do të mbahen përgjegjës ata që penguan opozitën të hynte në Kuvend.

SHARE