MINISTRI DUKAJ NË FRANCË: INICIMI I PARIMEVE TË RISHIKUARA TË ADMINISTRATËS PUBLIKE

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, mori pjesë dhe foli në Konferencën e nivelit të lartë “Inicimi i Parimeve të Rishikuara të Administratës Publike”, organizuar nga SIGMA/OECD në Paris.

Në fjalën e tij hyrëse, ministri Dukaj shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë për të marrë pjesë si ministër i Qeverisë së sapozgjedhur të 44-të të Malit të Zi në konferencën e rëndësishme.

“Përfitoj nga rasti të falënderoj SIGMA-n për mbështetjen e gjithanshme që na ka dhënë vazhdimisht prej vitesh në procesin e reformës së administratës publike. Qëllimi i reformës së administratës publike në Mal të Zi është të sigurojë zbatimin e plotë të ligjit të BE-së, përmes krijimit të administratës publike të bazuar në përfshirje, mundësi të barabarta për të gjithë, si dhe krijimin e shërbimeve publike në përputhje me nevojat e qytetarëve. Në këtë drejtim, tashmë jemi duke zbatuar një kornizë strategjike të bazuar në parimet e SIGMA-s në kuadër të krijimit të administratës së mirë publike”, tha ministri Dukaj.

Ai theksoi se vizioni i Strategjisë së Reformës së Administratës Publike 2022 – 2026 është një administratë publike profesionale që ofron shërbime cilësore për përdoruesit fundorë dhe ka kapacitete adekuate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Puna jonë e përgjegjshme dhe sukseset e kaluara kanë krijuar parakushtet që Komisioni Evropian ta njohë këtë dhe të mbështesë financiarisht procesin e reformës së administratës publike përmes mbështetjes buxhetore sektoriale, vlera e së cilës është gati 20 milionë euro. Mbështetja për reformën e administratës publike në Mal të Zi është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse synimet specifike të programit duhet të arrihen. Ato synime përkojnë me vendosmërinë e Qeverisë për të krijuar një administratë publike të suksesshme, demokratike”, tha Dukaj.

Ministri Dukaj tha se përmes Raportit për Zbatimin e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike është konstatuar se administrata publike në Mal të Zi ka bërë progres në reformën e administratës publike, veçanërisht përmes aspiratës për krijimin e kornizës legjislative të harmonizuar me rregulloret evropiane.

“Dëshirojmë të theksojmë këtu se Ministria e Administratës Publike ka përgatitur Projektligjin për Qeverinë, të cilin e kemi dërguar për mendim në KE dhe e kemi koordinuar me Komisionin e Venecias për të marrë tekstin sa më të mirë të kësaj zgjidhjeje ligjore. Besojmë se në periudhën e ardhshme do të mund të llogarisim në mbështetjen e fuqishme të partnerëve tanë evropianë”, tha Dukaj.

“Pavarësisht periudhës sfiduese që është pas nesh, e cila karakterizohet nga paqëndrueshmëria politike, të cilën, së bashku me sulmet kibernetike, e shoh si sfidat kryesore që kemi pasur në procesin e reformës së administratës publike, së bashku me ndryshimet organizative dhe personeli në disa raste, Qeveria e Malit të Zi ka mbetur e përkushtuar ndaj prioriteteve të saj në fushën e krijimit të një administrate publike profesionale”, ka përfunduar ministri Dukaj.

Në konferencën “Prezantimi i Parimeve të Rishikuara të Administratës Publike”, u prezantuan Parimet e rishikuara të Administratës Publike për vitin 2023 dhe një platformë për ministrat që koordinojnë reformat e administratës publike për të shkëmbyer mendime dhe përvoja se si Parimet e përditësuara mund të forcojnë reformat e administratës publike kombëtare.

SHARE