KKSH: TAKIM ME KOMITETIN KËSHILLIMOR PËR KONVENTËN KUADËR PËR MBROJTJEN E PAKICAVE KOMBËTARE

Në kuadër të vizitës së katërt të Komitetit Këshillimor për Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Mal të Zi, të organizuar nga Këshilli i Evropës, sot u realizua një takim në mes të përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar  të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe delegacionit të Bordit të Komitetit Këshillimor i përbërë nga: David Smith (Përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar), Mikko Puumalainen (Përfaqësues i Finlandës) dhe Pedro Afuilera Cortes (Përfaqësues i Spanjës), në Librarinë “Ulqini”.  

Në kuadër të punës së tij, Komiteti monitoron në detaje respektimin e të drejtave të pakicave në 39 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës çdo 5 vjet.

Si rezultat, Komiteti harton një opinion që përfshin rekomandime për autoritetet e secilit prej këtyre vendeve se si të zgjidhen problemet e identifikuara.

Mali i Zi është një nga vendet për të cilat Komiteti Këshillimor do të përgatisë një opinion në 2023/24 në kuadër të ciklit të katërt të vlerësimit.

Në takimin e ditës së sotme u diskutua për disa çështje të rëndësishme për  Shqiptarët në Mal të Zi, ku si tematika kyçe ishin: arsimi, kultura, toleranca dhe dialogu ndërkulturor.

Në fund të takimit Kryetari i Këshillit Kombëtar, z. Faik Nika theksoi se është shumë e rëndësishme, që të ketë një bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm me Komunitetin Këshillimor për Konventen Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, duke zhvilluar edhe më shumë takime të tilla në të ardhmen.

SHARE