Sulme të ashpra po kryen ushtria izraelite brenda qytetit të Gazës, prej natës së kaluar.
Këto filmime nga terreni u shpërndanë nga vetë trupat e mbrojtjes së Izraelit, që sqaruan se gjatë 24 orëve të fundit janë goditur 450 objektiva të Hamasit.
Trupat izraelite kanë rrethuar vetëm pjesën veriore të Rripit të Gazës, duke e ndarë në dysh territorin jugperëndimor palestinez, siç duket në këtë hartë. Sipas reporterëve në terren, këto duken si luftimet më intensive që prej 7 Tetorit.
Pas takimit me kreun e autoritetit palestinez Mahmud Abas në territoret e bregut perëndimor të Dielën, sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken mbërriti këtë të Hënë në Ankara, pas një ndalese të padeklaruar në parë në Bagdad.
Në fokus të takimit me ministrin e jashtëm turk Hakan Fidan ishin tensionet në Rripin e Gazës.
Vizita në Turqi vjen një ditë pasi presidenti Erdogan tha se Turqia duhet të ndërhyjë për të ndalur mizoritë izraelite ndaj palestinezëve.
Blinken ka garantuar se nuk do të lejohet dëbimi i palestinezëve nga territoret e tyre dhe se Shtetet e Bashkuara janë për një zgjidhje me dy shtete.
Vëmendje ka tërhequr edhe momenti kur kryeministri i autoritetit palestinez Mahmud Shtajeh përlotet në një mbledhje të qeverisë kur flet për fëmijët palestinezë të vrarë nga konflikti në Gaza.